15:34 / E Premte, 03 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ministri i Financave dhe Oda Amerikane konfirmojnë përkushtimin për bashkëpunim

Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të afërt me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, me qëllim të avancimit të mëtejmë të legjislacionit dhe politikave që do të ndikonin në lehtësimin e të bërit biznes.

Kështu u tha gjatë një takimi të ministrit të Financave Bedri Hamza me drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Ministri Hamza falënderoi Odën Amerikane për kontributin konstruktiv të saj në aspektin e avancimit të legjislacionit dhe ofroi gatishmërinë e ministrisë që ai drejton për të trajtuar edhe në të ardhmen rekomandimet e kësaj organizate.

Hamza foli edhe për planet e Ministrisë së Financave që kanë për qëllim ngritjen e performancës së të hyrave përmes luftimit të ekonomisë joformale, me qëllim të eliminimit të konkurrencës jo lojale për bizneset që janë tatimpagues të rregullt, e gjithashtu edhe me planet për ndryshimet legjislative gjatë vitit 2018.

Nga ana e tij, drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka falënderoi Ministrinë e Financave për vazhdimin e reformave fiskale, përmes aprovimit të vendimit për lirimin nga detyrimet doganore të lëndëve të para, që ka qenë kërkesë e kahmotshme e Komitetit të Prodhuesve të Odës Amerikane.