14:11 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Ministri i Jashtëm i Austrisë lavdëron Gent Cakajn

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Aleksander Schallenberg, sot para dite
ka vizituar Shqipërinë për të ofruar mbështetje në luftën kundër
pandemisë COVID-19 ku është pritur nga Ministri i Jashtëm i
Shqipërisë, Gent Cakaj. Sipas një statusi në facebook të Cakajt, në
takim është biseduar për zhvillimin e negociatave për anëtarësim në
Bashkimin Evropian, bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së dhe punën e
përbashkët në kuadër të OKB-së. Cakaj njofton se Austria tashmë i ka
konfirmuar mbështetjen për Shqipërinë për të siguruar një ulëse në
Këshillin e Sigurimit.

Megjithatë, ajo që ra në sy gjatë konferencës për shtyp ishte fakti se
Ministri i Jashtëm i Austrisë lavdëroi publikisht punën personale të
Cakajt për të mundësuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim në
Bashkim Evropian. Z. Cakaj dhe z. Rama kanë bërë një punë shumë të
mirë në komunikimin me vendet skeptike brenda Bashkimit Evropian për
t’i bindur ato për progresin e Shqipërisë dhe nevojën e fillimit të
negociatave për anëtarësim – tha, ndër të tjera, kryediplomati i
Austrisë, Schallenberg.

Kryediplomati austriak pritet që sot ta vizitojë edhe Kosovën ku do të
pritet nga Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca.