Ministri i MAPL-së shkon në IOWA, flasin për binjakëzimin

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, me ftesë të Gjeneral Majorit të IOWA-s, Ben J. Corell dhe Drejtoreshës Ekzekutive të IOWA Sister States, Karla Weilbrenner Mcollum, po qëndron në vizitë zyrtare në shtetin e IOWA-s, me rastin e 10 vjetorit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe IOWA-s, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit/binjakëzimit ndërmjet komunave të Kosovës me qytetet e shtetit të IOWA-s.
Në këtë vizitë zyrtare, Ministri Krasniqi do të takohet me Sekretarin e Shtetit të IOWA-s Paul Pate, dhe kryetarët e 7 qyteteve me të cilat komunat e Kosovës kanë partneritet/binjakëzim me qytetet e IOWA-s.
Bashkë do të diskutojnë progresin në zbatimin e aktiviteteve që dalin nga marrëveshjet, si dhe për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit/binjakëzimit ndërmjet komunave/qyteteve të të dyja vendeve.
Krasniqi gjithashtu do të takohet me Christofer Williams, shef i UN- Habitat në selinë qendrore në New York, me të cilin do të diskutohet finalizimi i Programit të përbashkët 4 vjeçar 2022-2025, në vlerë të përgjithshme mbi 15 milionë euro për investime kapitale në komunat e Kosovës.