75 Mall Live Search
12:42 / E Premte, 16 Gusht 2019 / indeksADMonline

Ministri i Mbrojtjes priti në takimin lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, RuairiO’Connell

Ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, priti dje në takimin lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. RuairiO’Connell. Në takim ministri e falënderoi ambasadorin për kontributin e tij të veçantë në thellimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ai e cilësoi ambasadorin O’Connell si mik të madh të Republikës së Kosovës, i cili do të na mungojë të gjithëve.

Në takim u bisedua edhe për progresin e arritur në zbatimin e Planit gjithëpërfshirës së transicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përkrahjen e parezervë që ka dhënë dhe po jep Mbretëria e Bashkuar në shkollimin dhe stërvitjen e pjesëtarëve të FSK-së. Me theks të veçantë u diskutua suksesi i kadetëve tanë gjatë shkollimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera. Ata i kanë përfaqësuar më së miri vlerat që kultivon FSK-ja si një forcë profesionale, multietnike dhe kredibile.

Ambasadori O’Connell e falënderoi ministrin për bashkëpunimin e deritashëm dhe nënvizoi se FSK-ja është një prej sukseseve të Kosovës pas luftës. Ai shtoi se FSK-ja është ndërtuar si institucion duke u bazuar në merita dhe profesionalizëm. Ambasadori, gjithashtu e rikonfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta vazhduar përkrahjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ministri Berisha edhe një herë shprehu gatishmërinë që FSK-ja, edhe me kapacitetet e tashme, të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, gjithashtu edhe si pjesë e kontingjenteve të partneriteteve strategjike, siç është Mbretëria e Bashkuar, në misionet paqeruajtëse në botë.