Ministri i Shëndetësisë prezanton masat e reja anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Kurti ka folur për gjendjen me COVID në vend.
Latifi në të njëjtën kohë ka prezantuar edhe disa nga masat e reja të cilat janë marrë në bashkëpunim me Qeverinë dhe rekomandimet e Institutit dhe ekspertëve të fushës.
“Nga sot do të rikthejmë mundësinë e vaksinimit edhe gjatë ditëve të vikendit në të gjtiha qendrat dhe pikat e vaksinimit… Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të bartin certifikatën e vaksinimit saj dhe testi RT-PCR negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19”, ka thënë Latifi.
Maska mbetet obligative, me përjashtim të rasteve kur je duke drejtuar veturën i vetëm apo ke anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrime fizike apo gjatë ngrënies apo pijes.
“Tash që ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, do të lirohen personat nën 12- vjeç, personat me dëshmi mjekësore. Personat e tillë duhet të paraqësin testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.”
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se që nga 3 janari i vitit të ardhshëm të gjithë ata që udhëtojnë drejt Kosovës duhet të bartin dëshminë e vaksinimit të plotë.
“Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR”, shtoi ai.
Në fund, Ministri i Shëndetësisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve për t’u vaksinuar, duke thënë se nuk përjashtohet mundësia shtrëngimit apo lirimit të masave kufizuese, varësisht nga situata epidemiologjike në vend./Indeksonline/