14:40 / E Premte, 23 Korrik 2021 / OSH

Ministri Krasniqi merr pjesë në publikimin e raportit për transparencë komunale

Gjatë publikimit të raportit “Transparometri komunal 2020 & Transparenca e komunave në retrospektivë” përmes së cilit janë shpalosur të gjeturat e nivelit të transparencës së institucioneve lokale në 38 komunat e Kosovës, bazuar në 48 indikatorë vlerësues të përzgjedhur konform obligimeve ligjore dhe udhëzimeve administrative që rregullojnë punën dhe funksionimin e institucioneve të qeverisjes lokale si dhe bazuar në metodologjinë e Transparency International (TI) dhe në praktikat shumëvjeçare të KDI.

Ministri Krasniqi në fjalën e tij, ka theksuar rolin e shoqërisë civile në zhvillimin e shtetit dhe demokracisë: “Shoqëria civile është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit të shtetit. Kontributi i shoqërisë civile gjatë këtyre viteve, ka prodhuar një demokraci të avancuar dhe ka bërë që përmes zërit kritik të avancohet ‘qytetaria aktive’ dhe të arrijmë në një stad më të lartë zhvillimor. Andaj, edhe publikimi i këtij raporti sot, tregon rolin dhe rëndësinë që kanë organizatat e shoqërisë civile në raport me pushtetin lokal, respektivisht me transparencën komunale.”

Lidhur me raportin për transparencën komunale, gjithashtu në panel kanë diskutuar Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi si dhe Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, duke ndarë përvojën e tyre në këtë fushë.

Në fund, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati si dhe përfaqësues të nivelit komunal kanë ngritur disa pyetje në fushën e transparencës komunale të cilave ju është përgjigjur Ministri Krasniqi, duke sqaruar rolin e MAPL-së dhe projektet e MAPL-së në shërbim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe digjitalizimit duke përmendur nismën për antarsimin në OGP dhe platformën E-Komunat si dy nisma kryesore për qeverisjen e hapur në nivel komunal.