16:11 / E Hënë, 21 Shtator 2020 / indeksADMonline

Ministri Kuçi: Për çështjen e hidrocentraleve do të zbatohet ligji në secilin hap

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile dhe banorët e zonës së Deçanit.

Ky delegacion paraqiti para ministrit Kuçi shqetësimet e tyre në lidhje me punimet dhe gjendjen që është krijuar në Grykë të Deçanit, si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve.

Ministri Blerim Kuçi dëgjoi të gjitha shqetësimet dhe kërkesat, duke ju premtuar që gjithçka që është në kundërshtim me ligjin nuk do të lejohet të ndodhë. Për këtë ai falënderoi edhe këtë grup për angazhimin e tyre, duke treguar gjithashtu se ka nevojë për monitorim më të rreptë në këtë fushë.

“Shqetësimi juaj është i qartë, sikur jam i qartë edhe unë me atë se do ta zbatoj ligjin në secilin hap. Çështja e hidrocentraleve në Deçan nuk ka filluar as sot e as dje, por shumë më herët. Tash jemi përball një procesi që kërkon një zgjidhje të drejtë. Ajo që mund të them, është se monitorimi dhe kontrolli duhet të jetë më i rreptë”, ka thënë ndër të tjera ministri Kuçi.

Të gjitha kërkesat e këtij delegacioni janë evidentuar nga kabineti i ministrit dhe është dorëzuar kërkesa e shkruar që do të marrë vëmendjen e duhur.

Kërkesë e ministri Kuçi ndaj këtij grupi ishte që mos të reshtin së ngrituri zërin kur shohin se po shkelet ligji dhe të drejtat.