09:28 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Ministri Likaj: Po e nisim vitin e ri akademik me vështirësi, por studentët gjithnjë ia kanë dalë

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, përmes një postimi të bërë në FB u ka uruar të gjithë studentëve vitin e ri akademik.

Ai ka thënë se këtë vit po e nisim me një sfidë, për shkak të pandemisë COVID-19, por që sipas tij studentët kanë ditur gjithmonë t’u prijnë procesve të rëndësishme gjatë historisë, e po me të njëjtën fuqi do ta sfidojnë çdo vështirësi.

Ky është postimi i tij:

Të dashur studentë,

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020-2021, kam kënaqësinë të ju roj suksese gjatë studimeve dhe në jetën tuaj të përditshme. Në veçanti, uroj ata që këtë vit iu bashkohen institucioneve të arsimit të lartë dhe vazhdojnë rrugën e ngritjes intelektuale.

Po fillojmë këtë vit akademik, me një sfidë të përbashkët – pandeminë COVID-19. Por, studentët e Kosovës, kanë ditur gjithmonë t’iu prijnë proceseve të rëndësishme gjatë historisë. Jam i sigurt, se edhe ju keni po të njëjtën fuqi për të sfiduar vështirësitë, pra edhe kushtet e studimeve në forma që mund të ndryshojnë si shkak i pandemisë. Këtë do ta bëni, duke gjetur mënyra për përgatitjen tuaj profesionale sa më cilësore, në bashkëpunim edhe me mësimdhënësit tuaj.

Ju ftoj që të angazhoheni maksimalisht dhe bashkërisht ta bëjmë të sukseshëm këtë vit akademik edhe në rrethana të vështira. Kështu do të nderojmë vendin tonë dhe shumë breza të studentëve që u sakrifikuan për liri dhe jetë më të mirë.
Me këmbëngulësinë tuaj, do ta ndërtoni të ardhmen tuaj, të familjeve tuaja dhe të Kosovës!

Ju dëshiroj një vit të suksesshëm akademik!

#MbaniMasken
#MbaniDistancen
#MbaniHigjienen