Ministri Likaj vizitoi shkollën “Faik Konica” për të parë nga afër përgatitjet për testin e arritshmërisë

Pas më shumë se dy muaj mësimi të zhvilluar nga shtëpitë, nxënësit e klasëve të nënta u janë kthyer bankave shkollore, transmeton IndeksOnline.
E pikërisht për të parë se si po ecën procesi i rikthimit në shkollë si dhe përgatitjet për testin e Arritshmërisë, sot ministri i ri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ramë Likaj, bashkë me drejtoreshën e Arsimit të Prishtinës, Shpresa Shala, kanë vizituar s shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Faik Konica” në Prishtinë.
Ministri Likaj, me këtë rast, ka takuar menaxhmentin e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit, me të cilët ka biseduar për sfidat e organizimit të mësimit plotësues, ndërsa ka kërkuar nga ata të respektojnë Udhëzuesin e hartuar nga MASHTI në të cilin janë të përshkruara në detaje udhëzimet dhe masat të cilat duhet të ndërmerren për të realizuar mësimin plotësues dhe testin e arritshmërisë.

Tutje bëhet e ditur në komunikatë se ministri Likaj i ka lutur nxënësit, mësimdhënësit dhe gjithë stafin e kësaj shkolle dhe të të gjitha shkollave në Kosovë, që të respektojnë masat mbrojtëse të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP, përfshirë ato të bartjes së maskave, higjienës dhe distancës sociale, në të gjitha ambientet ku ndodhen dhe të sillen me përgjegjësi, pasi që çdo pakujdesi mund të ndikojë në rrezikun e përhapjes së infeksionit.
