75 Mall Live Search
17:47 / E Shtunë, 18 Nëntor 2023 / MSH

Ministri Maqedonci pjesëmarrës në Forumin e Sigurisë në Halifax

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në punimet e forumit ndërkombëtar të sigurisë në Halifax të Kanadasë.

Ky forum në fokus të tij ka çështje të sigurisë me të cilat po përballet sot Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe shtetet e tjera të cilat kanë përqafuar vlerat e përbashkëta të saj.

I shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, Atasheu i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Kanada, Kolonel Berat Shala, Ministri Maqedonci do të marrë pjesë në disa nga sesionet e kësaj konference, ndërsa në margjinat e këtij forumi planifikohet realizimi i takimeve bilaterale me homologë pjesëmarrës.

Forumi i Sigurisë Halifax këtë vit mbledh rreth 300 pjesëmarrës ndërkombëtarë nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe politikës, përfshirë këtu ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra të mbrojtjes, shefa të mbrojtjes, senatorë dhe parlamentarë nga mbarë bota.