16:11 / E Martë, 27 Prill 2021 / Blerim

Ministri Murati priti në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë Karin Hernmarck Ahliny

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati priti sot në takim ambasadoren e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë Karin Hernmarck Ahliny, ku diskutuan për planet e Qeverisë Kurti si dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit pas pandemisë Covid-19.

Ministri Murati e falënderoi Ambasadoren Ahliny për ndihmën dhe kontributin që shteti suedez ka dhënë dhe vazhdon të japë për institucionet e Kosovës, në veçanti për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamentin e Tatimit në Pronë si dhe në projektet e ndryshme në fushën e ekonomisë.

Ai e njoftoi Ambasadoren për zhvillimet buxhetore, për gjendjen makrofiskale si dhe prioritetet e Qeverisë Kurti për zhvillimin ekonomik, me theks te veçantë për skemën e punësimit të garantuar.

Ndërsa, ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë Karin Hernmarck Ahliny, e falënderoi Ministrin Murati për pritjen dhe theksoi se shteti i Suedisë ka një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e Kosovës dhe këtë bashkëpunim ne duhet ta ruajmë dhe forcojmë edhe më tutje.