75 Mall Live Search
13:31 / E Mërkurë, 10 Qershor 2020 / indeksADMonline

Ministrat Selimi dhe Kuçi, diskutojnë për bazën ligjore për implementimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike

 Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur në një takim ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Gjatë këtij takimi, dy ministrat diskutuan për koordinimin midis dy institucioneve në fushën e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e bazës ligjore per implementimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.

“Sot kam pritur në takim ministrin Kuçi, ku diskutuam  rreth implementimit të planit për rimëkëmbje ekonomike. Jam i lumtur që sundimi i ligjit është baza e planit të rimëkëmbjes ekonomike”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se plani për rimëkëmbje ekonomike është i nevojshëm andaj sipas tij, Ministria e Drejtësisë do të ofrojë ndihmë në përgatitjen e legjislacionit për implementimin e tij.

“ E sigurova ministrin Kuçi, se Ministria e Drejtësisë me kapacitetet që ka, qoftë në ndihmesën e përgatitjes së legjislacionit apo ndihmë në raport me institucionet e tjera dhe ato të sundimit të ligjit, do të jetë në dispozicion të plotë të implementimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike”, deklaroi Ministri Selimi.

Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, tha se vizita e tij në Ministrinë e Drejtësisë ka për qëllim dërgimin e mesazhit që sundimi i ligjit është bazë e zhvillimit ekonomik.

Ministri Kuçi tha se shpreson që Qeveria e Kosovës në javën e ardhshme të dalë me një plan konkret të veprimit për rimëkëmbjen ekonomike.