12:07 / E Martë, 14 Korrik 2020 / Blerim

Ministri Selimi: Lëndët e pazgjidhura, që kanë të bëjnë me privatizimin në Kosovë, të trajtohen me prioritet

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, është takuar sot me  drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi dhe drejtori menaxhues i AKP-së, Tolaj, kanë diskutuar për domosdoshmërinë që të trajtohen me prioritet lëndët e pazgjidhur në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit në Kosovë dhe po ashtu shqyrtuan modalitetet e dhënies së pronave shoqërore në shfrytëzim të Gjykatës në Mitrovicë dhe Prizren.

Ministri Selimi tha se Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në avancimin e mëtejmë të legjislacionit, i cili do t’u shërbente këtyre institucioneve në ngritjen e efikasitetit në punën e tyre me qëllim të fuqizimit dhe ofrimit të sigurisë juridike të të drejtave pronësore, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, z. Tolaj ka falënderuar ministrin Selimi për interesimin dhe bashkëpunimin e ofruar, duke e siguruar se AKP-ja mbetet e përkushtuar të ofrojë zgjidhje brenda kompetencave të saj në të gjitha çështjet që lidhen me interesin publik.