14:13 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / OSH

Ministri Selimi njofton avansimin e projektligjit që rregullon të drejtat pronësore

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka njoftuar se ka avancuar dukshëm Projektligjin për tokën ndërtimore.

Selimi ka treguar përparësië e këtij projektligji me të cilin do të definohet pronësia dhe do të rritet siguria ligjore e pronarëve.

“Pas dakordimit të përbashkët me Komisionin parlamentar për legjislacion, si edhe kryetarin e Komisionit parlamentar për ambientin, për tërheqje nga procedurat e Kuvendit të Projekligjit për tokën ndërtimore dhe pas diskutimeve shtesë që janë zhvilluar në lidhje me përmbajtjen e draftit, projektligji është avancuar dukshëm.

Përmes këtij projektligji jo vetëm që do të hiqet nga rendi ynë juridik një ligj i ish- KSA të Kosovës, i cili i përket një sistemi të kaluar, por se përmes këtij projektligji do të rirregullohen të drejtat pronësore dhe administrimi i tokës ndërtimore, transformimi i të drejtës së shfrytëzimit të përhershëm në pronësi publike apo private sipas kushteve të përcaktuara me projektligj, e kjo përfshinë një numër të madh të rasteve, si edhe ndërlidhja e pronësisë së objektit dhe pronësisë së tokës ndërtimore në rastet kur ka pronësi të dyfishtë.

Përmes këtyre përcaktimeve ligjore do të definohet pronësia, me këtë do të rritet siguria juridike e pronarëve dhe do të lehtësohet qarkullimi juridik i këtyre pronave, e kjo pa dyshim do të ndikojë në zhvillim ekonomik të vendit. Qëllimi i radhës do të jetë puna për rregullimin e pronës dhe mundësia e restituimit”, shkruan Selimi në njoftim.