12:57 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / Blerim

Ministri Selimi: Republika e Kosovës fiton 2 konteste, në vlerë totale, prej 2.8 milionë eurosh

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur një konferencë shtypi me

ç’rast ka njoftuar opinionin publik se Republika e Kosovë, ka fituar dy konteste në vlerë totale, prej 2.8 milionë eurosh, falë punës së Avokaturës Shtetërore, si agjenci e pavarur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“Tani kemi pranuar aktgjykimin nga Departamenti ekonomik, ku është fituar një kontest në vlerë prej 1.8 milionë eurosh, lëndë e përfaqësuar nga avokatja Ilire Tasholli-Aydogan. Duke ditur se Avokatura Shtetërore përfaqëson edhe kontestet gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare, që rast konkret kemi kontestin në Gjykatën e Vjenës, përfaqësuar nga avokati Arsim Zuka, rasti i fituar ka vlerën monetare prej 1 milion eurosh”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se falë një pune intensive, institucioni i Avokaturës Shtetërore po arrin të jetë i suksesshëm në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Prioritetet e mia si ministër i Drejtësisë me çka synoj që ta kemi një sistem të qëndrueshëm funksional dhe të pavarur në përfaqësimin e autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, në procedurat gjyqësore, administrative si dhe në arbitrazh”, deklaroi ministri Selimi.

Ndërsa Avokati i përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi, tha se gjatë muajve janar –tetor të vitit 2020, Avokatura Shtetërore ka mbrojtur një numër të madh të rasteve në gjykatat vendore, ku vlerat e kontesteve të fituara janë 10 milionë e 183 mijë euro.
“Të gjitha këto lëndë janë të fituara me vendimin e formës së prerë dhe kjo është një sukses jashtëzakonisht i madh”, tha avokati Istrefi.

Avokatura Shtetërore ka gjithsej 1935 lëndë të pranuara në vitin 2020, ku 462 prej tyre janë të fituara dhe 307 lëndë janë me ankesë në Gjykatën e Apelit, të tjerat janë në proces.