75 Mall Live Search
09:56 / E Enjte, 08 Tetor 2020 / indeksADMonline

Ministri Selimi, zotohet se do të qëndrojë i palëkundur në luftën kundër korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përmes një postimi të publikuar në faqen zyrtare Facebook, ka thënë se sot ka bërë zotimin e tij në luftën kundër korrupsionit. Kjo deklaratë e tij, vjen në ditën kur ka përfunduar procesi i hartimit të Projektligjit për agjencinë për parandalim të korrupsionit.

“Në luftën kundër korrupsionit jam zotuar se do të qëndroj i palëkundur. Andaj, sot si rezultat i punës së përbashkët të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, me mbështetje nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikë dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Zyrës së BE-së, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, UNDP-së, Projektit të përbashkët të Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës PECK, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, ka përfunduar procesi i hartimit të Projektligjit për agjencinë për parandalim të korrupsionit.

Në versionin aktual të projektligjit janë të trajtuara të gjitha çështjet që në të kaluarën ishin pengesë në zbatim nga ana e organit zbatues, ku me theks të veçantë është fokusuar në aspektin e parandalimit të korrupsionit, ndërkaq hetimi dhe gjykimi i veprave që ndërlidhen me korrupsionin do t’i mbetet në përgjegjësi Prokurorit të shtetit dhe gjykatave”.

Sipas ministrit Selimi, Projektligji përcakton se Agjencia do të merret me shqyrtimin e projektakteve me qëllim të identifikimit të hapësirave që mundësojnë korrupsionin, pastaj monitorimin e planeve të integritetit për institucionet publike, si edhe kryerjen e përgjegjësive të tjera që janë të parapara me ligje specifike, siç është parandalimi i konfliktit të interesit, çështjet me deklarimin e pasurisë si dhe trajtimi i rasteve të sinjalizimit.

“Ndër risitë më thelbësore është edhe kompetenca që i është dhënë Agjencisë në shqiptimin e gjobave në rast të mospërmbushjes së kërkesave ligjore nga ana e subjekteve që u nënshtrohen ligjeve që zbatohen nga Agjencia…

Vlen të ceket se procesi i hartimit dhe finalizimit të këtij projektligji ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës dhe është hartuar në pajtim të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare. Ky projektligj tenton të avancojë edhe më tej infrastrukturën ligjore në luftën kundër korrupsionit duke e specifikuar përgjegjësitë e Agjencisë… nga tani Agjencia për Parandalim të Korrupsionit”.

Në fund thuhet se nga sot ky projektligj, do të jetë i gatshëm për konsultime parapake. Ministria e Drejtësisë i mirëpret komentet dhe propozimet, në këtë fazë dhe atë të konsultimeve me publikun./Indeksonline