75 Mall Live Search
22:24 / E Martë, 18 Tetor 2022 / shkelqim osmanaj

Ministri serb në OKB: E refuzojmë argumentimin e Kosovës për Asociacionin

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq,akuzoi Kosovën për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas Selakoviq Kosova  synon të ketë popullatë pa serbë.

“Ne e refuzojmë kategorikisht argumentimin e Prishtinës për jokushtetueshmërinë për krijimin e Asociacionit. Kjo reflekton sjelljen e tyre dhe serbëve në provincë dhe tregon se Prishtina është kundër njerëzve, serbëve, si një komunitet etnik në atë vend. Qëllimi i tyre është një komunitet pa serbë si ajo në Prishtinë, Gjakovë apo në Pejë”, tha ai.

Selakoviq ka thënë se qasja “problematike” e Kosovës po e saboton vetë atë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Shefja e UNMIK-ut: Retorika politike rrezikoi të arriturat e dialogut Prishtinë-Beograd

Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut, Karolinë Ziadeh, në fjalën e saj në seancën ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit deklaroi se ky muaj karakterizohet nga afate vendimtare në lidhje me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke përmendur rastin e udhërrëfyesit për energjinë dhe targat për qytetarët serbë.

Ziadeh deklaroi se çështjet që duken të fjetura mes Kosovës dhe Serbisë mund të kthehen lehtësisht në ballë të agjendës së dialogut. Duke përmendur retorikën e udhëheqësve politikë, Ziadeh u shpreh se kjo gjuhë po rrezikon edhe ato të arritura që janë bërë deri më tani në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Që nga pranvera e kaluar, të gjithë kemi vërejtur disa përshkallëzime në retorikën politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe disa momente të tensionit akut në terren. Këto kërcënuan të pengojnë shumë nga arritjet e mëparshme, të arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Në momente të tilla, vëmendja e të dyja palëve u investua në akuzat e ndërsjella, në vend se të investohej në përdorimin e kanaleve formale apo joformale për t’u angazhuar në dialog konstruktiv. Ndërhyrjet diplomatike së bashku me një takim dialogu të nivelit të lartë më 18 gusht u lanë në lehtësim të përkohshëm dhe formën e afatit të zgjatur, dhe premtimet për vazhdimin e diskutimeve. Megjithatë, gatishmëria për të rrezikuar konfrontime të rrezikshme në terren, në rastin më të mirë e ktheu procesin prapa, në rastin më të keq mund të çojë në pasoja shumë më të rënda, edhe nëse të paqëllimshme”, deklaroi Ziadeh.

Shefja e UNMIK-ut u shpreh se mirëpret përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, ndërsa shtoi se kjo mund të arrihet duke zbatuar të gjitha vendimet e gjykatave të larta, si ato të Gjykatës Kushtetuese.