17:16 / E Martë, 03 Nëntor 2020 / Blerim

Ministri Veliu kërkon të bëhen vlerësime për nivelin e sigurisë, sidomos kërcënimet nga terrorizmi

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka pritur në takim u.d drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.

“Nga Policia e Kosovës dhe Institucionet tjera të sigurisë, kërkova që të bëhen vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e sigurisë, kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi, si dhe konform nevojës dhe vlerësimeve të ngritën masat e sigurisë”, ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, ministri Veliu.

Ministri  Veliu ka thënë se aktualisht nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, por as edhe Kosova nuk mund të jetë imune, sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluar në rajon e më gjerë.

“Institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit”, ka shkruar ndër të tjera Veliu.