16:45 / E Martë, 04 Gusht 2020 / indeksADMonline

Ministri Veliu priti në takim kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, me të cilin diskutuan për situatën e përgjithshme në menaxhimin e pandemisë dhe për masat e ndërmarra për tejkalimin e kësaj situate mjaft të vështirë dhe të ndjeshme për vendin tonë.

Me këtë rast, Ministri Veliu e njoftoi kryetarin Muhaxheri për takimin e fundit të Grupit Ndër-Institucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI), në të cilin, pos tjerash, u kërkua edhe rikthimi në funksion të plotë i shtabeve emergjente komunale, të cilat gjithsesi se duhet të udhëhiqen dhe koordinohen nga kryetarët e komunave.

Ministri Veliu theksoi se situata me pandeminë është shumë serioze dhe kërkoi që të apelohet në të gjithë qytetarët, sidomos ata me përgjegjësi institucionale, përfshirë kryetarët e komunave, të janë në krye të detyrës, me qëllim të zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Në këtë takim u diskutua po ashtu edhe në lidhje me funksionalizimin e Ligjit mbi Zyrtarët Publik, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e me qëllim të mundësimit sa më të shpejtë të rekrutimit të stafit sipas nevojave të institucioneve përkatëse.

Ministri Veliu e informoi bashkëbiseduesin se kërkesa të tilla kanë edhe shumë institucione tjera shtetërore, duke premtuar njëkohësisht përshpejtimin e materializimit të dispozitave të këtij ligji sa më shpejtë që të jetë e mundur.