Ministri Veliu: Serbët nesër ndërpresin mësimin në Kosovë, kam biseduar edhe me Jevtiqin

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliu ka konfirmuar se shkollat serbe do të zbatojnë vendimin e qeverisë “Kurti” për ndërprerjen e mësimit, për shkak të koronavirusit.
Ndonëse një gjë e tillë ka hyrë në fuqi prej sot, Veliu konfirmoi se ka biseduar me akterët të ndryshëm për t’i bindur serbët që të marrin parasysh vendimet shtetërore, shkruan Indeksonline
“Unë sot e kam takuar Dalibor Jevtiq (ministri i Srpska-s) me të cilin kam biseduar për zbatimin e vendimit që është marrë dje nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Mendojë se nuk do të ketë nevojë që të dërgohen forcat policore në shkollat serbe. Kam biseduar me drejtorin e policisë. Prej nesër shkollat nuk do të punojnë”, ka thënë ai në mbledhje të qeverisë.
Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) është njoftuar se në disa komuna të Kosovës të banuara me popullatë shumicë serbe, vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës nuk është duke u respektuar.
MASHT-i u ka bërë thirrje të gjitha drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa të menjëhershme që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë.
MASHT-i thekson se vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës është masë dekuate parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik dhe në këtë drejtim, çdo tentativë për politizim të çështjes apo mos zbatim të këtij vendimi, i cili ka karakter obligativ, është i papranueshëm dhe në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, përkatësisht nenit 250.