13:11 / E Mërkurë, 01 Prill 2020 / indeksADMonline

Ministri Vitia dhe Ambasadori Britanik Abbott diskutojnë për menaxhimin e Covid-19 në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia priti sot në takim Ambasadorin e Britanik në Kosovë Nicholas Abbott me të cilin diskutuan për situatën aktuale në Kosovë për sa i përket Korona virusit Covid-19.

Ambasadori Abbott përgëzoi Ministrin Vitia për punën e bërë nga Ministria dhe institucionet e tjera në përgjigje ndaj situatës epidemiologjike me Koronavirusin Covid-19 dhe shprehu mirënjohjen e tij për përfshirje në këto masa edhe të komuniteteve pakicë në Kosovë, veçanërisht të komunitetit serb.

Ambasadori theksoi nevojën e bashkëpunimit duke injoruar dallimet politike për sa i përket qasjes në menaxhimin e situatës me Koronavirusin Covid-19 në Kosovë.

Ministri Arben Vitia e ka informuar Ambasadorin Abbott lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19 në Kosovë.

Gjithashtu, shprehu falënderimin e tij për mbështetjen që në vazhdimësi Kosovës i ka dhënë Mbretëria e Bashkuar si në rrafshin politik ashtu edhe në atë shëndetësor si dhe gatishmërinë për të shtuar angazhimet në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës së Kosovës pa dallim.​