75 Mall Live Search
13:19 / E Diele, 06 Mars 2022 / MSH

Ministria britaneze e Mbrojtjes: Rusia po shënjestron zonat e populluara

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se Rusia është duke shënjestruar zonat e populluara në Ukrainë, si një përpjekje për të thyer moralin ukrainas.

“Shkalla dhe forca e rezistencës ukrainase vazhdon të befasojë Rusinë. Ajo është përgjigjur duke shënjestruar zonat e populluara në vende të shumta, duke përfshirë Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol,” thuhet në raportin e ministrisë.

“Kjo ka të ngjarë të përfaqësojë një përpjekje për të thyer moralin ukrainas”, thuhet tutje në raport.

Rusia ka përdorur më parë taktika të ngjashme në Çeçeni më 1999, dhe Siri në vitin 2016, duke përdorur municione ajrore dhe tokësore, shtoi ministria.

“Linjat ruse të furnizimit thuhet se vazhdojnë të jenë në shënjestër, duke ngadalësuar shkallën e përparimit të forcave të tyre tokësore. Ekziston një mundësi realiste që Rusia tani po përpiqet të fshehë kamionët e karburantit si kamionë të rregullt mbështetës për të minimizuar humbjet,” përfundoi ministria.