75 Mall Live Search
20:38 / E Premte, 28 Qershor 2024 / MSH

Ministria dhe Komuna ia “gjuajnë” fajin njëra-tjetrës, banorë të tri fshatrave të Istogut në hall me kanalin e ujitjes

Banorë të tri fshatrave në Istog janë duke pasur telashe me kanalin e ujitjes.

Kanali, i njohur si “Kanali i Gogës”, po riparohej nga një kompani e cila ka ndërprerë punimet, teksa banorët që furnizohen me ujë nga ky kanal kanë raportuar se kanë nisur t’iu dëmtohen kulturat bujqësore për shkak të mos-rregullimit të shtratit të kanalit.

Banorët madje pohojnë se uji i kanalit po ndotet nga ujërat e zeza, të cilat edhe po kundërmojnë.

Nga Komuna e Istogut thonë për Indeksonline se, në mungesë të fondeve vetanake, kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë të investojë në rehabilitimin e këtij kanali.

“Procedurat e prokurimit janë realizuar nga Ministria e Bujqësisë po ashtu edhe implementimi i projektit ka organ mbikëqyrës MBPZHR. Ne si komunë kemi ofruar ndihmën e nevojshme ministrisë me raste ku ka pasur kontekste pronësore për te mundësuar realizimin e projektit” thonë nga Komuna.

Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se qytetarët kanë kërkuar ndryshimin e projektit, gjë që është lënë në dorë të Komunës së Istogut, meqë kjo e fundit ka qenë përgjegjëse për dizajnimin e projektit dhe zgjidhjen e problemeve pronësore.

“Për këto probleme që ishin shfaqur, Kryetari i Komunës së Istogut me ekipin e tij ishin zotuar se do t’i zgjidhin të gjitha, por që deri më tani ende nuk kanë dërguar ndonjë shkresë zyrtare se kanë bërë zgjidhjen e tyre, por vetëm kanë paralajmëruar që pjesërisht disa probleme i kanë tejkaluar dhe për të gjitha të tjerat do të shohin në ditët në vijim” deklaroi MBPZHR për Indeksonline.

Sipas Ministrisë, punimet e projektit janë ndërprerë teksa ekipi menaxhues i projektit është në pritje të një raporti përfundimtar të operatorit ekonomik të kompanisë mbikëqyrëse për gjendjen e fundit të projekteve të ujitjes.

Kompania pati kontratë deri më 13 qershor, por që sipas Ministrisë, ekipi menaxhues i këtij projekti do të përgatisë një tjetër raport.

“Paraprakisht do të shikohen mundësitë që të dalin njëherë në terren në këtë komunë për të rishikuar mundësitë e fundit se a mund të vazhdohet me realizimin e punimeve apo të procedohet kërkesa për shkëputje të kontratës, pasi që procedurat për këtë projekt kanë shkuar përmes procedurave tenderuese dhe në këtë rast duhet respektuar të gjitha afatet kohore sipas ligjeve në fuqi” deklaron Ministria./Indeksonline/