Ministria e Brendshme del me njoftim rreth funksionalizimit të shërbimit: “Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit”

Agjencia e Regjistrimit Civil, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve që dalin nga përgjegjësitë e ngarkuara në fushën e aktiviteteve të saj, në vazhdimësi është duke avancuar dhe lehtësuar shërbimet për qytetarë përmes digjitalizimit dhe shërbimeve “online”.
Së fundmi, si rrjedhojë e veprimtarisë së ARC-së, është funksionalizuar shërbimi për deklarim të adresës zyrtare të vendbanimit nga Agjencia e Regjistrimit Civil, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë për Shoqëri të Informacionit.
Përmes digjitalizimit të këtij procesi, deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit bëhet më i lehtë dhe i thjeshtë përr qytetarin, duke shfrytëzuar platformën shtetërore e-Kosova, pa pasur nevojë të paraqitet medoemos në Zyrën e Gjendjes Civile.
Tani e tutje, ekzistojnë dy mënyra të deklarimit të adresës:
1. Mënyra e parë dhe më e lehta është përmes platformës e-Kosova, duke shfrytëzuar shërbimin për “Deklarimin e adresës zyrtare të vendbanimit” në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/SubService/580
2. Mënyra e dytë është paraqitja e qytetarit fizikisht në Zyrën e Gjendjes Civile, duke u asistuar nga zyrtarët e kësaj zyre.
Procesi i deklarimit të adresës zyrtare të vendbanimit ndihmon në lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarit, duke përfshirë:
• Adresën unike dhe zyrtare të vendbanimit;
• Përzgjedhjen e mjekut familjar-bazuar në adresën e deklaruar;
• Shpërndarjen më të lehtë dhe më të shpejtë të shërbimeve postare;
• Saktësinë e adresës për shërbimet mjekësore emergjente;
• Saktësinë dhe unifikimin e adresës në të gjitha faturat komunale.
Duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që të angazhohen dhe bashkëpunojnë këtë proces, sigurojmë se vëmendje e veçantë dhe shumë e madhe i është kushtuar sigurisë së të dhënave personale, ruajtjes dhe cilësisë së tyre.