Ministria e Bujqësisë jep këshilla, por jo ndihmë për bujqit

Ministria e Bujqësisë sapo ka lëshuar një komunikatë këshilluese për bujqit në Kosovë. Në kohën kur bujqësia po përballet me krizë të madhe për shkak të rritjes së çmimeve për të mbjella dhe rritjes drastike të çmimit të naftës,
Ministria e drejtuar nga Faton Peci ka dalur me këshilla se si bujqit duhet t’i kushtohen rëndësi analizimit të tokës.
“Në fazën e para-përgatitjeve për mbjelljet pranverore, duhet t’i kushtohet rëndësi të madhe analizimit të tokës, në të cilën do të mbillen kulturat pranverore, me qëllim që të rezultohet me prodhimtari të suksesshme.
Prandaj, Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike ju njofton se është koha ideale që të merren mostrat e dheut varësisht nga kulturat që planifikoni të mbillni dhe t’i dërgoni në Institutet kompetente për analizim. Pas analizës do të njoftoheni për gjendjen e tokës suaj dhe do të pranoni rekomandimet profesionale në bazë të rezultateve.
Analiza e dheut bëhet në mënyrë që të testohet niveli i lëndëve ushqyese në tokë dhe të përmirësohet ekuilibri ushqyes i tokës duke shtuar plehra ose duke hequr sasinë e tepërt prej saj.
Ushqyesit parësor në plehra njihen si NPK dhe ato janë Azoti, Fosfori dhe Kaliumi. Secila prej këtyre lëndëve ushqyese luan një rol të rëndësishëm në bujqësi dhe prodhimin e bimëve.
Për më shumë informata dhe këshilla shtesë, kontaktoni këshilltarin për bujqësi në Qendrën Informative Këshilluese Komunale, ose në zyrën qendrore të shërbimit këshillimor në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rr. “Ukshin Hoti”, Kompleksi “Ramiz Sadiku”, nr. 120 kati III, Prishtinë, ose në tel. 383 (0) 38 200 38426″ thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë./Indeksonline/