Ministria e Financav lanson Rrjetin e Përbashkët të Inteligjencës kundër pastrimit të parave të Kosovës

Sot u mbajt ngjarja lansuese e Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës kundër pastrimit të parave të Kosovës ku ishin prezent Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati, Ministri i Punëve të Brendshme, Z. Xhelal Sveçla, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Z. Jonathan Hargreaves, përfaqësues të agjencive shtetërore si dhe bashkëpunëtorë të shumtë ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij hapëse të kësaj ngjarjeje, Ministri Murati theksoi se Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave do të sigurojë koordinimin e përpjekjeve të Qeverisë, Sistemit Gjyqësor dhe Agjencive me institucionet financiare, bizneset dhe akterët tjerë socialë dhe ekonomikë në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare. Ministri Murati theksoi se nisma si kjo e sotmja janë të rëndësishme për të avancuar përkushtimin e Qeverisë për luftimin e aktiviteteve të paligjshme.
Nga ana e tij, Ministri Sveçla gjithashtu theksoi rëndësinë e krijimit të rrjetit për adresimin e kërcënimeve siç janë pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit. Ndërsa, Ambasadori Hargreaves theksoi si shumë të rëndësishëm krijimin e këtij rrjeti si një dëshmi se institucionet shtetërore janë të gatshme ta luftojnë krimin.
Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës kundër pastrimit të parave të Kosovës do të rezultojë në ndarjen efikase të të dhënave ndërmjet agjencive përgjegjëse për luftimin e pastrimit të parave duke luftuar kështu aktivitetet e kundërligjshme.