Ministria e Financave hap thirrjen për OJQ-të që mbështesin familjet e cenueshme me pako ushqimore
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka hapur thirrjen për organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare, e cila do të përdoret për ofrimin e pakove ushqimore për familjet në nevojë. Kjo bëhet në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për familjet e cenueshme.
Njoftimi i Ministrisë:
Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për familjet e cenueshme, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se është hapur thirrja për organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare, e cila do të përdoret për ofrimin e pakove ushqimore për familjet në nevojë.
Të drejtë aplikimi kanë organizatat që veprojnë në komunitete dhe që ofrojnë shërbime ndaj kategorive të cenueshme të shoqërisë, të cilat për të aplikuar duhet të bashkëngjesin dokumentet në vijim:
- Certifikatën e regjistrimit të organizatës në Republikën e Kosovës;
- Dëshminë mbi veprimtarinë e organizatës në mbështetje të kategorive të cenueshme;
- Planin e aktiviteteve që përfshin kapacitetet shërbyese;
- Numrin potencial të familjeve përfituese;
- Koston totale të pakove ushqimore, duke pasur parasysh se mbështetja është deri në 50 euro për pako;
- Listën e produkteve që përmban një pako ushqimore dhe çmimet përkatëse, duke pasur parasysh se së paku 70% e produkteve duhet të jenë vendore.
Aplikimet mund të dërgohen në adresën zyrtare: masa3.4@rks-gov.net deri më 7 nëntor 2025.

