Ministria e Financave nuk pajtohet me të gjeturat e Bankës Botërore, thotë se ka vende të reja të punës
Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka prezantuar ditë në parë Raportin e Rregullt për Ballkanin Perëndimor. Në bazë të këtij raporti ne Ballkan ka rritje ekonomike pozitive duke e përfsgirë edhe Kosovës me 4.2%, shkruan Indeksonline.
Gjithnjë sipas këtij raporti, mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018, ndërsa shkalla e papunësisë është rritur gjatë vitit të kaluar.
“Rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2019 pritet të jetë 4.4 përqind dhe kjo rritje është nxitur nga investimet publike dhe private, mirëpo, papunësia vazhdon të mbetet problem shqetësues në Kosovë. Mijëra vende të punës kanë humbur, po ashtu sfidë mbetet hyrja e madhe e të rinjve në tregun e punës dhe shpenzimet e larta publike dhe këto nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur sa duhet papunësinë e lartë”, thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës Botërore.
Mirëpo të gjeturat e këtij raporti nuk janë duke bindur institucionet e Kosovës.
Lulzim Rafuna, këshilltarë në Ministrinë e Financave për Indeksonline ka thënë se duke pas parasysh të dhënat nga institucionet e tjera financiare.
“Fatkeqësisht Banka Botërore nuk ka dhënë sqarime si ka ardhur deri te kjo shifër apo si kanë konstatuar që ka humbje të vendeve të punës. Ne mungesë të sqarimeve vijnë edhe interpretimet e ndryshme”, tha Rafuna.
Ai thotë se në bazë të raporteve që kanë nuk dëshmohet se ka zvogëlim të numrit të vendeve të punës.
“Nëse i marrim edhe njëherë të gjithë faktorët që janë në ngritje nga rritja ekonomike, rritja e totale e investimeve në Kosovë, numëri i madh i bizneseve të reja të regjistruara, rënia e numërit të bizneseve të cilat mbyllen, etj. Nuk na dëshmojnë se ka ulje të vendeve të punës apo humbje siç janë shprehur në raportin e Bankës Botërore”,vazhdoi më tutje këshilltari i ministrit të Financave.
Rafuna duke iu referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), ATK dhe Fondi i Kursimeve Pensionale, thotë se gjatë vitit që lëmë pas numri i të papunëve është zvogëluar si dhe është rritur numri i bizneseve të reja të regjistruara.
“Nëse i referohemi shifrave që janë publike – zyrtare nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës shohim se shkalla e papunësisë është ulur në vitin 2018, ishte në vitin 2017 30,6% ndërsa në vitin 2018 është 29,6%.
Shënimet nga ATK tregojnë se numëri i të punësuarave nga 2018 ka një rritje për rreth 15 mijë më shumë krahasuar me 2017, sidomos te sektor privat siç janë biznese individuale, shoqëri aksionare(Sh.A) dhe Sh.P.K e që dëshmohet edhe me rritjen e numërit të bizeseve të reja të regjistruara dhe me numër shumë të vogël te bizneseve të mbyllura në 2018 se sa në vitin 2017″.
“Gjithashtu edhe shënimet nga Fondi i Kursimeve Pensionale e mbështetin këtë konstatim nga të cilat shihet se kemi trendin rritës në mesatare prej 4.1% peë çdo vit, nëse zbresim kontigjentin e të punësuarve të vitit zgjedhor 2017 (angazhimit të përkohëshëm të një numri të caktuar të vëzhguesve, komisionerev etj) për rreth 14mijë të punësuar më shumë në vitin 2018, rrjedhimisht rezulton se kemi një trend konstant rritës për rreth 4.1% për çdo vit ( apo rreth 14 mijë të punësuar), që është në linjën me rritjen ekonomike gjatë kësaj periudhe (2016-2018)”, përfundoi ai.
Me të gjeturat e raportit të Bankës Botërore nuk është pajtuar as kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
“Nuk qëndrojnë këto shifra. Si i merrni ju është tjetër. Statistikat janë ekzistuese. S’ka humbje të vendeve të punës. Ka rritje. S’është rritja që kemi qejf, por ka rritje të vendeve të punës”, ka thënë Haradinaj./Indeksonline/