13:48 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ministria e Infrastrukturës ndan mbi 1 milionë euro për projektet rrugore të Lipjanit

Ministria e Infrastrukturës, e përfaqësuar nga zëvendësministri Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, vizituan sot Lipjanin, ku u pritën nga kryetari i komunës, Imri Ahmeti.

Përfaqësuesit e dy institucioneve në fjalë, nënshkruan memorandum bashkëpunimi për vitin 2018 dhe anekset e marrëveshjeve paraprake për disa projekte rrugore në Lipjan, që arrijnë shifrën 1,203,468 euro.

Nga memorandumi, do të financohet rruga përgjatë hekurudhës Gllogovc – Rubovc, ndërsa mjetet e tjera janë ndarë për vazhdimin e projekteve për rrugët Magurë – Blinaj, Vojnovc – Topliqan dhe Llugaxhi – Gadime.

Duke ndarë përgjegjësitë për dinamizimin dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore, kryesisht asfaltimin e rrugëve të Lipjanit, zëvendësministri Kadriu deklaroi se Ministria e Infrastrukturës do të jetë e gatshme që në çdo kohë të ofrojë përkrahje dhe të shërbejë në të mirë të qytetarëve të Lipjanit.

Kadriu nën shoqërinë e Ahmetit, vizitoi edhe udhëkryqin e Janjevës, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj (N2), për të cilin paralajmëroi rinisje të shpejtë të punimeve në ndërtimin e një rrethrrotullimi, që sipas kryetarit të Lipjanit është më se i nevojshëm.

Me rastin e kësaj vizite, zëvendësministri Kadriu dhe kryetari Ahmeti, vizituan edhe udhëkryqin ku pritet të bëhet rrethrrotullimi i rrugës nacionale N2 në Banullë, investim ky i Ministrisë së Infrastrukturës.​