Ministria e Infrastrukturës ndanë 2 milionë euro për rrugën A në Prishtinë
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Përgjatë këtij takimi, Lekaj dhe Ahmeti kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi.
Me këtë rast, ministri Lekaj ka theksuar se janë dakorduar bashkë me komunën e Prishtinës që ministria e tij t’i ndajë 2 milionë euro për rrugën A në kryeqytet, që të fillojë procedura dhe të zhvillohet projekti.
“Sipas informacioneve që kemi mbledh mesa duket kjo rrugë do të kushtojë më shtrenjtë, diku afërsisht një çmim i dhënë nga komuna është 10 milionë euro. Sa i përket asaj për unazë, edhe aty jemi në bashkëpunim, por për këtë rrugë këtë vit i kemi ndarë 2 milionë euro”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa Ahmeti ka deklaruar se Rruga A është një prej rrugëve shumë të rëndësishme në Prishtinë dhe se rregullimi i saj do të ndikojë edhe në rregullimin e trafikut në përgjithësi.
“Rruga A është rruga që zbatimi i saj është shumë i rëndësishëm për të rregulluar pak trafikun, për ta zhvendos trafikun, mendohet se implementimi i saj do të zgjasë më shumë se 18 muaj dhe në dakordim me Ministrinë e Infrastrukturës sivjet kemi diskutuar edhe me Ministrinë e Financave dhe nëse procedurat ecin më shpejtë në buxhet kemi mundësi të shtimit të fondeve.Mendoj se ia fillojmë në vitin 2019 dhe të përfundoje në vitin 2020, për shkak të madhësisë dhe rëndësisë”, ka thënë Ahmeti.
Tutje ai ka theksuar se kjo rrugë përpos që lidh Kalabrinë me Lagjen Spitalit ka edhe një përroskë ku kalon rruga mbi të, kështu që duhet të mendohet edhe për kolektorin./Indeksonline/