Ministria e Jashtme mirëpret heqjen e tabelës sinjalizuese në Murinë me mbishkrimin “Peć Srb”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka ndjekur me shqetësim rastin e vendosjes së një tabele sinjalizuese në Murinë, me mbishkrimin “Peć Srb”, me përmbajtje të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit ndërshtetëror.
Menjëherë pas pranimit të informacioneve për këtë rast, MPJD-ja, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështje me institucionet kompetente të Malit të Zi.
MPJD-ja njofton opinionin publik se pas këtij angazhimi institucional, tabela në fjalë është hequr. Ministria mirëpret këtë veprim nga autoritetet malazeze dhe e konsideron atë si një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, MPJD-ja falënderon aktivistët dhe banorët e zonës për angazhimin dhe reagimin e tyre qytetar në sensibilizimin e opinionit publik dhe në mbrojtje të vlerave të përbashkëta demokratike dhe ndërfqinjësore. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Malin e Zi, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë, fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane.