75 Mall Live Search
12:41 / E Martë, 26 Nëntor 2024 / mp

Ministria e Mbrojtjes anulon tenderin për infrastrukturën në Aeroportin e Gjakovës

Ministria e Mbrojtjes e ka anuluar tenderin për ndërtimin e infrastrukturës për Aeroportin e Gjakovës, që ka qenë projekt dyvjeçar, 2024-2025.

Sipas dosjes së tenderi anulimi i këtij procesi të prokurimit është bërë pasi që të gjitha ofertuesit e kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për këtë kontratë, e që ka qenë saktësisht 1 milion e 930 mijë euro.

Oferta më e lartë për këtë tender ka shkuar deri në 3 milionë e 763 mijë e 852 euro. Tri konsorciumet që kanë dorëzuar oferta më të ulëta se vlera e parashikuar e kontratës, janë eliminuar për mospërmbushje të kritereve.


Në njoftimin për kontratë ishte paraparë që punët për ndërtimin e infrastrukturës në këtë aeroport të kryheshin për 350 ditë nga dhënia e kontratës.

Punimet në këtë aeroport, në dosjen e tenderit, ishin arsyetuar me planifikimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Aty thuhej se do të ndahen disa hapësira, do të renovohet shtresa e asfaltit ekzistues dhe se do të ketë shtrim me sipërfaqe të reja asfalto, dhe ndërtim i rrethojës brenda sipërfaqes së aeroportit.

“Lokacioni i objekteve është në të ashtuquajturin Aeroportin e Gjakovës, hapsire e shfrytëzuar për periudhe të gjatë nga KFORI- Italian. Me përfundimin e misionit paqësor te KFOR-it Italian hapsiara është marr në administrim dhe shfrytezim nga Ministria e Mbrojtjes respektivisht Forca e Sigurisë së Kosovës. Për shkak te planifikimeve strategjike të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka lindur nevoja e intervenimit për Renovimin e hapësirave brenda Aeroportit, ndërtim dhe ndarje të hapësirave po ashtu renovimi i shtresës së asfaltit egzistues e po ashtu shtrim me siperfaqe të reja asfalti. Ne kuadër të këtyre ndërhyrjeve është parashikuar edhe ndërtimi i rrethojës brenda siperfaqës së aeroportit siç është potencuar në detyrë projektuese”, thuhet në dosjen e tenderit.

Ky aeroport gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës. Aeroporti ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1.799 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë.