75 Mall Live Search
16:48 / E Hënë, 13 Janar 2020 / indeksADMonline

Ministria e Mjedisit qetëson qytetarët: Nuk ka aplikuar askush për leje mjedisore për ndërtimet në Badovc

Pamja për rreth liqenit të Badovcit pritet të ndryshojë.

Kështu të paktën parashihet përmes një projekti i cili po mendohet të realizohet nga disa kompani në Kosovë, shkruan IndeksOnline.

Projekti “Lakeside Gardens” me investitorët e saj KAWA Group dhe Rrahman Hajredini, po kundërshtohet nga shumë qytetarë pasi që thuhet se një projekt i tillë planifikon ta helmon liqenin e Badovcit.

Por Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i dha fund aludimeve se ky projekt ka marrë pëlqimin mjedisor, duke thënë se investitorët në fjalë as që kanë aplikuar për leje të tillë dhe duke shtuar se ky dikaster nuk ka kompetenca të lëshojë leje të tilla.

“Bazuar në njoftimet e bëra nga ana e një grupi të qytetarëve si dhe ngritja e shqetësimit te mediave lidhur me iniciativën rreth një projekti i cili synon te ndërtohet afër Liqenit të Badovcit nga Investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës (Rrahman Hajredini), dhe që në vazhdimësi është duke u potencuar se MMPH ka dhënë leje për një projekt të tillë, ju informoj se MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”.

Nga MMPH-ja thonë se çdo plan ndërtimor, posaqërisht në pjesën e Liqenit të Badovcit, duhet ti nënshtrohet lejeve përkatëse dhe procedurave që konstatojnë realizimin e projekteve të tilla.

“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013. Andaj çfarëdo zhvillimi i planifikuar në atë pjesë duhet të jete në përputhje të plotë me legjislacionin dhe kriteret e parapara si dhe ti nënshtrohet lejeve përkatëse dhe procedurave të parapara me ligj, vetëm pas këtyre procedurave mund të konstatohet se a mund të realizohen projektet e tilla ose jo. Lidhur me këto shqetësime, sot i kemi dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës”.

Tutje nga MMPH-ja thonë se nuk do të ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit të Badovcit dhe kualitetin e ujit.

“Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”.

Ndryshe, në një grup në rrjetin social Facebook, më shumë se 7000 qytetarë po kërkojnë që ky projekt të mos realizohet. /IndeksOnline/