15:58 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ministria e Punës e shqetësuar me vdekjet në vendin e punës

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka mbajtur një tryezë të organizuar ku ka shprehur shqetësimet për vdekjet dhe lëndimet që po ndodhin në vendin e punës.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, i cili njëherësh është edhe kryesues i  Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, tha se shëndeti dhe siguria në punë, është një prioritet institucional dhe se po angazhohen që të kenë  adresime konkrete nga të gjithë mekanizmat relevantë për të parandaluar këtë situatë.

Ai ka nënvizuar se aksidentet në punë, të cilat janë evidentuar dhe janë duke  ndodhur  në vend punishtet e Republikës së Kosovës, qofshin ato me lëndime apo me fatalitet janë shqetësuese për neve si shoqëri dhe në këtë kuptim po angazhohemi që të kemi adresime konkrete nga të gjithë mekanizmat relevantë për të parandaluar këtë situatë.

Dukolli ka shtuar institucionet e Kosovës po ndërmarrin hapa ambiciozë në këtë fushë, jo vetëm duke harmonizuar legjislacionin me BE-në, por edhe duke ndërtuar trupa inspektuese. “Përtej saj  çdo vit po ndërmarrim fushata vetëdijësuese me qëllim që të informojmë palët për detyrimet që kanë në raport me  aktet juridike të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë. Në këtë kuptim, Qeveria e Republikës së Kosovës  ka themeluar edhe  Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili në kompetenca të veta ka propozimet, rekomandimet  dhe hartimin e politikave për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përcjelljen në vazhdimësi të gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë të punësuarve”.

Për të kontribuuar dhe rritur edhe më tutje sigurinë dhe shëndetin në punë, Këshilli ka marrë  angazhime serioze  duke hartuar dhe miratuar  planin e punës  të veprimit dy vjeçar të Këshillit 2018 – 2019, duke  paraparë objektiva dhe aktivitete të caktuara në funksion të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë. “Gjatë vizitave të realizuara në teren, qoftë në kompani publike apo private, Këshilli  ka dhënë vërejtjet e veta dhe ka bërë thirrje punëdhënësve që të ofrojnë kushte të sigurta pune e gjithsesi ka inkurajuar Inspektoratin e Punës që të mbikëqyrë në plotëni implementimin e ligjeve në fuqi”.

Në kuadër të masave preventive KNSSHP është duke shqyrtuar çështjen e sëmundjeve profesionale që mundë të fitohen si pasojë e vendit të punës, dhe në këtë kuptim i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të hartojë regjistrin e këtyre sëmundjeve, “Po ashtu kemi inkurajuar dy institutet e mjekësisë së punës në Gjakovë dhe Obiliq, që të realizojnë me profesionalizëm të gjitha vizitat sistematike të punëtorëve dhe ekzaminimet e nevojshme që kërkohen” tha Dukolli.

Në këtë tryezë u raportua se për këta nëntë muaj të këtij viti kemi 18 raste më fatalitet. Nga këto dy   vdekje natyrore dhe 78 lëndime. “Kjo situatë nuk është aspak e mirë dhe kërkon adresime konkrete. të dhënat që posedojmë, nga vizitat që kemi realizuar në teren dhe shqyrtimet e bëra rreth kësaj teme, ne po shkojmë drejt identifikimit të  sektorëve që paraqesin rrezikshmërinë më të lartë, në këtë rast ndërtimtaria si punëdhënësi më i madh në vend mbetet sektori më i rrezikuar sigurisht edhe për specifikat e këtij sektori, pasuar nga energjetika, sektori i shërbimeve, prodhimit”, ka potencuar Dukolli.

Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, Dukolli ka apeluar të gjithë punëdhënësve që të krijojnë ambiente të sigurta  pune, si dhe  punëtorëve, që të  kujdesen për sigurinë e tyre dhe të tjerëve dhe të përdorin pajisjet e duhura për siguri dhe mbrojtje në  punët e tyre specifike.

Në funksion të sigurisë dhe shëndetit në punë, Dukolli tha se, Këshilli është i hapur dhe po bashkëpunon mirë, përtej mekanizmave institucional  edhe me shoqërinë civile. “Tanimë kemi OJQ (si IKS dhe QPA) që në cilësinë e vëzhguesit po e përcjellin punën tonën, edhe në takime por edhe në aktivitete në teren dhe në këtë drejtim, ne sigurojmë bashkëpunim të sinqertë me të gjithë ata akterë  që  me përvojat e tyre mundë të kontribuojmë që vendet tona të punës të jenë më të sigurta. Veç këtyre aktiviteteve ai njoftoi pjesëmarrësit në këtë tryezë se MPMS, shumë shpejt do të fillojë të hartoj edhe strategjinë për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Në këtë tryezë morën pjesë organizatat sindikale vendore, BSPK, SBASHK, OEK-u, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile që trajtojnë çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia./Indeksonline/

Temat: