75 Mall Live Search
20:44 / E Hënë, 06 Maj 2019 / indeksADMonline

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë lanson platformën dixhitale “Ambasada Ime”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sot ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke lançuar platformën tepër të vyer dixhitale – “Ambasada Ime”.

Ky aplikacion nuk është vetëm kthesë e rëndësishme në digjitalizimin e
shërbimit diplomatik dhe konsullor por edhe vendosjen e një sistemi të ri të llogaridhënies dhe komunikimit publik në përgjithësi.

Vlera e këtij aplikacioni është e trefishtë:

Së pari, ai ofron informacion të plotë mbi strukturën e mbulimit
diplomatik dhe konsullor të Shqipërisë për çdo kënd të botës. Aplikacioni paraqet informacionet e domosdoshme për shtetasit shqiptarë pavarësisht se në cilin cep të globit qëndrojnë apo vizitojnë, duke mundësuar asistencën e shtetit në rast nevoje në kohë reale. Pra, “Ambasada Ime” nuk ofron vetëm një sistem pasiv informativ por mundëson edhe komunikimin aktiv të njësive diplomatike e konsullore me shtetasit shqiptarë në çdo rrethanë.

Së dyti, ai mundëson një qasje të drejtpërdrejtë në procedurat e
automatizura të shërbimeve konsullore online – nga aplikimi për asistencë për shtetasit e humbur shqiptarë, aplikimi për fitim, rifitim apo lënie shtetësie, aplikimi për pasaportë apo kartë identiteti, leje kalimi a dokumente civile etj. – sipas produkteve që ofron Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Së treti, ai paraqet gjithë veprimtarinë e përfaqësive diplomatike dhe qendrave konsullore të Shqipërisë jo vetëm si kusht i domosdoshëm i transparencës, por edhe si kusht i nevojshëm i komunikimit publik.
“Ambasada Ime” ofron mundësinë e parashtrimit të pyetjeve, adresimit të ankesave dhe shpalosjes së ideve në përfaqësitë diplomatike të
Shqipërisë. Pra, bën të mundur një sistem tërësisht dinamik komunikimi midis mekanizmave diplomatikë e konsullorë të shtetasve shqiptarë kudo në botë.

“Ambasada Ime” është një hap drejt de-burokratizimit të Ambasadave dhe Konsullatave si dhe demokratizimit të diplomacisë.

Nëse premtimi i Qeverisë ka qenë ‘E gjithë vëmendja tek Ju’, nga sot e tutje, Ju i
keni në dorë ambasadat tuaja në kuptimin e dyfishtë të fjalës, literal dhe metaforik.

Për më shumë info: www.ambasadaime.gov.al