Ministria e Shëndetësisë deklarohet rreth botoksit që u sekuestrua sot nga policia

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar aksionin e Njësisë për hetimin e krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës, që rezultoi me sekuestrimin e 860 flakonave të botoksit.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës deklaroi se vlera e botoksit të sekuestruar është afro 150 mijë euro, sakaq pronari, shtetas turk, është dërguar në mbajtje.

“Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas sigurimit të provave ka ndaluar një të dyshuar mashkull shtetas turk, tek i cili kanë gjetur një sasi të materialit që përdoret në mjekësi (botoks). Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një sasi tjetër e materialit të njëjtë që është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë. Vlera totale e materialit të sekuestruar sipas çmimit në treg sillet rreth 150,000 €”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Në anën tjetër, nga MSH-ja pohojnë se do të vazhdojnë inspektimin dhe bashkëpunimin me institucionet e sigurisë, për të parandaluar rastet e tilla.
Ky është njoftimi i plotë i Ministrisë:
Ministria e Shëndetësisë konfirmon se pas një aksioni të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe institucioneve tjera të sigurisë, bashkë me Inspektoratin Farmaceutik, i cili ka marrë pjesë në sekuestrimin e 860 flakonave të substancës botox, të kontrabanduara në Republikën e Kosovës.
Produktet janë sekuestruar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa i dyshuari, shtetas turk, është ndaluar nga autoritetet.
Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë inspektimet dhe bashkëpunimin me institucionet e sigurisë për të parandaluar raste të tilla.