75 Mall Live Search
20:34 / E Diele, 03 Maj 2020 / indeksADMonline

Ministria e Shëndetësisë deklarohet rreth rastit tragjik të sotëm në konvikte

Një 26 vjeçar nga Gjilani, vdiq në QKUK nga plagët që mori, duke kërcyer nga kati i 5-të i konviktit numër 7 në Prishtinë, vend ky që është kthyer në karantinë me vendim të MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate zyrtare, ka folur rreth këtij rasti tragjik, ndërsa thonë se organet e hetuesisë janë duke u marr me sqarimin e rrethanave të vdekjes.

Ky është njoftimi i MSH-së:

Sot më 3 maj, 2020, në ora 17:16 ekipi menaxhues i Karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është njoftuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës në Qendrën e Studentëve se një person është gjetur në oborrin e Konviktit Nr. VII, me dyshim se ka rënë nga kati V-të.

Menjëherë personeli mjekësor i Karantinës së Qendrës së Studentëve ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë personit në fjalë ndihmën e parë si dhe e ka njoftuar emergjencën.


Në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Personi ka vazhduar të reanimohet edhe në Klinikën Emergjente nga ekipet kujdestare, të cilët e kanë vazhduar kujdesin e avancuar.

Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e mjekëve në Klinikën e Emergjencës, personi nuk ka mbijetuar.

Organet e hetuesisë janë duke u marr me sqarimin e rrethanave të vdekjes.

Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e thellë për këtë rast tragjik dhe u shpreh familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre.