Ministria e Shëndetësisë do të shqyrtojë hapjen e qendrave tregtare në fazën e dytë lehtësuese!

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë do të shqyrtojë hapjen e qendrave tregtare në fazën e dytë lehtësuese, shkruan IndeksOnline.
Tutje njoftoi se për momentin lejohen të operojnë vetëm barnatoret dhe shitoret ushqimore brenda qendrave tregtare.
Njoftimi:
SQARIM PËR QENDRAT TREGTARE GJATË PANDEMISË COVID-19
Në lidhje me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për fazat lehtësuese dhe hapjen graduale të ekonomisë, MEPTINIS rikujton se veprimtaritë e lejuara sipas kodeve NACE nuk mund të ushtrohen në qendra tregtare. Lejohen të operojnë vetëm barnatoret dhe shitoret ushqimore brenda qendrave tregtare.
Pika 6 e Vendimit të Qeverisë 01/09 të 13 marsit 2020 parasheh mbylljen e qendrave tregtare gjatë emergjencës së shëndetit publik për shkak të pandemisë COVID-19.
Pika 3 e Urdhëresës së MEPTINIS-it 01/05 të 23 marsit 2020, “qendrat tregtare (që operojnë në mjedise të hapura dhe të mbyllura, përfshirë këtu edhe çarshitë), përveç barnatoreve (mjekësore e bujqësore) dhe shitoreve ushqimore në këto qendra tregtare.”
Ministria e Shëndetësisë do të shqyrtojë hapjen e qendrave tregtare në fazën e dytë lehtësuese, që fillon më 18 maj 2020, në përputhje me situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe të ekspertëve të fushës.