Ministria e Shëndetësisë nënshkruan marrëveshje për infrastrukturën e “Zinxhirit të ftohtë”

Ministria e Shëndetësisë dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), nënshkruan sot Marrëveshje për implementimin e projektit të përgjigjes emergjente ndaj COVID-19 në Kosovë, që buron nga Marrëveshja e financimit me bankën e Këshillit të Evropës.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua sot nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Brendan Kieernan, shef i Zyrës së UNOPS-it për Kosovë.
Me këtë marrëveshje UNOPS-i do të implementojë pjesën infrastrukturore të “Zinxhirit të ftohtë” që do të shërbejë për programin e imunizimit në tërësi në Kosovë dhe që do të ndikojë në mbarëvajtjen e përgjigjes së përgjithshme ndaj COVID-19 në Kosovë.
Ministri Vitia dhe Kieernan, vlerësuan se bashkëpunimi midis MSh-së dhe partnerëve do të fuqizojë kapacitetet e Kosovës për një përgjigje sa më gjithëpërfshirëse ndaj COVID-19.


