19:03 / E Mërkurë, 22 Maj 2019 / indeksADMonline

Ministria s’e përdorë për më shumë së një vit pajisjen që e bleu gati gjysmë milioni euro

Shpeshherë pajisjet që blihen në shuma të majme nuk shfrytëzohen nga institucionet përkatëse.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), pajisja Mikroskopike Skanuese Elektronike (SEM), në laboratorin e Gjeologjisë së Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, nuk është përdorur, ani pse ishte blerë që dy vite.

Pra, kjo pajisje e blerë nuk ka hyrë në funksion pavarësisht çmimit që është blerë prej gjysmë milioni euro, saktësisht 498,986 euro.

Në një raport për MZhE-në nga ZKA, thuhet se kjo gjendje ka ardhur në mungesë të hapësirave për ta vendosur pajisjen.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Gjeologjike, Fidaim Sahiti në një përgjigje me shkrim për Indeksonline ka mohuar të gjeturën e ZKA-së se që dy vite kjo pajisje ka qenë jashtë funksionit.

Sahiti ka thënë se që nga pranimi e deri të instalimi i Mikroskopit përfshinë 1 vit e katër muaj.

“Në fillim dua të ju informojë se pajisja SEM është liferuar në fund të vitit 2017, ndërsa pas përpjekjeve të shumta për gjetjen e hapësirës dhe plotësimin e kushteve adekuate sipas standardit që e kërkon pajisja, instalimin i mikroskopi (SEM) është bërë në fillim të vitit 2019. Nga data e pranimit të mikroskopit deri te data e instalimit të Mikroskopit ka zgjatur një vit e katër muaj jo siç potencohet në pyetjen e juaj dy vite”, ka sqaruar Sahiti.

Ai ka bërë të ditur se gjetja e hapësirës ka qenë arsyeja e vonesës së funksionalizimit të kësaj pajisje.

“Gjatë liferimit të kësaj pajisje nga prodhuesi kemi pasur rekomandime dhe sugjerime të fuqishme së instalimi të mos bëhet në një lokacion të përkohshëm për shumë arsye. Instalimi i parë është i përfshirë dhe i garantuar në çmimin e blerjes së pajisjes nga Operatori Ekonomik duke përfshirë edhe trajnimin. Pajisja ka qenë e instaluar dhe paketuar në vakum me mbështjellës special dhe çdo ndërhyrje nga personat jo profesionist do të dëmtohej pjesa fizike dhe elektronike e cila është shumë senzitive. Në raste se bëhet instalimi i dytë për shkak të ç’vendosjes së Mikroskopit, në rast se s’vendoset Shërbimit Gjeologjik i Kosovës në një lokacion të ri, sipas prodhuesit, riinstalimi kushton minimum 20.000 Euro, për shkak se Mikroskopi duhet të ri-paketohet në pakot speciale dhe kalibrimi i pajisjes duhet të bëhët nga fillimi (ngase tani është e kalibruar në fabrikë) dhe të gjitha pjesët duhet të ri-paketohen me kujdes të veçantë në pako me vakum me pajisje speciale duke ditur ndjeshmërinë që ka pajisja”, ka shtuar ai.

Mikroskopi Skanues Elektronik (SEM) është pjesë përbërëse e laboratorit të gjeologjisë dhe kostoja e blerjes së kësaj pajisje kap shumën 498,986 €.

Bazuar në përgjegjësitë ligjore të SHGJK-së, hulumtimet gjeologjike nuk mund të realizohen vetëm me punë në terren. Vetë natyra e hulumtimeve gjeologjike ndër të tjera parasheh edhe marrjen e provave (mostrave) të cilat më pas përpunohen dhe analizohen në laboratorin e gjeologjisë dhe Mikroskop SEM.

Sipas Agjencisë Gjeologjike, kjo pajisje është blerë për të siguruar rezultate të mira në fushën e gjeologjisë dhe të minierave, ku sipas Sahitit, është ‘shumë e rëndësishme puna analitiko shkencore me Mikroskop SEM’.

“Rëndësia e veçantë është se do të kryhen në vend analiza të plota kimiko-fizike, kristalografike mineralogjike, petrografike, paleontologjike dhe analiza tjera tematiko-shkencore për institucionet e Republikës së Kosovës, investitorët dhe bizneset të cilat merren me hulumtime gjeologjike, për një shfrytëzim sa më racional të pasurive natyrore që posedon Kosova”, ka theksuar drejtori i këtij agjencioni./Indeksonline/