Ministria shfuqizon vendimin që ndalonte qarkullimin e automjeteve me peshë të madhe, gjatë temperaturave të larta

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për shfuqizimin e vendimit që ndalonte qarkullimin e automjeteve me peshë më të madhe se 7.5 tonë, në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale.
Ky vendim, bën të ditur Durmishi, është marrë duke marrë parasysh parashikimin e motit dhe rënien e ndjeshme të temperaturave, në ditët në vijim.
“Të dashur qytetarë,
Duke marrë parasysh parashikimin e motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sipas të cilit parashihen rënie të ndjeshme të temperaturave ditëve në vijim, kemi marrë vendim:
Shfuqizimin e vendimit të datës 13 korrik 2024, për ndalimin e qarkullimit në Autoudhë, Rrugë Nacionale dhe Rajonale të automjeteve për transportin e mallrave me peshë më të madhe se 7.5T.
Faleminderit për mirëkuptimin tuaj gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta” shkroi Durmishi në Facebook.