75 Mall Live Search
15:31 / E Mërkurë, 12 Tetor 2022 / A. M.

Ministrit Peci i shtohet siguria, vihet nën përcjellje policore

Policia e Kosovës ka shtuar sigurinë e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Ministri Peci është vënë nën përcjellje policore nga dita e mërkurë e 12 tetorit, ka konfirmuar këshilltarja e tij, Flutur Mustafa.

Mustafa i ka thënë portalit Nacionale të mërkurën se shtimi i sigurisë personale të ministrit ndërlidhet me denoncimet e tij lidhur me keqpërdorimin e disa pronave të Ministrisë së Bujqësisë.

“Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse, ndaj seriozitetit të situatës. Pas adresimit publik te Ministrit gjatë ditës së djeshme lidhur me dyshimet e keqpërdorimeve me pronat e Ministrisë së Bujqësisë, tanimë është në duart e organeve të rendit dhe drejtësisë ta bëjnë punën e tyre ndërsa Ministri do vazhdojë të bashkëpunojë, në çdo hap të hetimeve”, tha Mustafa.

Ministri Peci, të martën ka thënë se kanë gjetur një mori skandalesh në Institutin Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk është abuzuar vetëm me subvencione, por edhe në menaxhimin e pronave.

Peci ka publikuar disa fotografi të objekteve. Njëra prej tyre ishte edhe Selia Qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në lagjen Ulpiana të kryeqytetit.

“Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi: Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje! Uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë”, tha ai.

Peci e ka ftuar Prokurorinë për hetimin e rasteve. /paparaci/