Ministrja Dumoshi, me mesazh për të rinjtë në muajin e tyre

Shtatori është muaji i rinisë. E në këtë muaj zhvillohet rëndom aktivitete të shumta për të treguar potencialin dhe rëndësinë e rinisë.
Me fillim të këtij muaji ka ardhur edhe mesazhi i ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Ajo ka thënë se në çdo periudhë historike, rinia ishte promotore e ndryshimeve rrënjësore në Kosovë. Prandaj edhe sot angazhimi i tyre është parësor për zhvillimin e vendit.
Komunikata e plotë:
1 shtatori shënon fillimin e muajit të rinisë. I gjithë shtatori i takon potencialit dhe energjisë që përçojnë të rinjtë e vendit tonë, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të popullatës.
Në çdo periudhë historike, rinia ishte promotore e ndryshimeve rrënjësore në Kosovë prandaj edhe sot angazhimi i tyre është parësor për zhvillimin e vendit.
Si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej marrjes së mandatit i kam pasur të rinjtë e vendit prioritetin kyç të punës sime. Jam shumë e lumtur, që përmes mekanizmave të MKRS-së kemi arritur të shpërndanim grante për shumë të rinj, të përkrahnim organizata rinore dhe të intensifikonim punën për ligjin për fuqizimin e rinisë.
Përkushtimi im për fushën e rinisë, do të jetë konsistent e i vazhdueshëm dhe ju siguroj pa dallim që do të jem derë e hapur e bashkëpunimit.
Gëzuar Muajin e Rinisë! E gëzofshi rininë dhe jetën, me energjinë që ju karakterizon!