Ministrja Dumoshi në “Berlinale” takon drejtoreshën e EFA-së, Marion Doring

Ministrja Dumoshi në “Berlinale” takon drejtoreshën e EFA-së, Marion Doring
Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, po e viziton Gjermaninë, në festivalin prestigjioz të filmit “Berlinale”, ku ka marrë pjesë në premierën e filmit “Exil”, i regjisorit kosovar Visar Morina.
Ministrja Dumoshi, në kuadër të takimeve gjatë kësaj ngjarjeje të madhe kinematografike evropiane, takoi drejtoreshën e “European Film Academy”, Marion Doring, e cila pasi uroi ministren Dumoshi për takimin e falënderoi për pjesëmarrjen në “Berlinale” dhe u shpreh e lumtur nëse ministrja do t’i bashkohej ndarjes së çmimeve të “European Film Academy”, e cila do të mbahet në Islandë.
Drejtoresha e EFA-së, Doring, gjatë bisedës me ministren Dumoshi theksoi që bashkëpunimi me Qendrën Kinematografike të Kosovës është tepër i rëndësishëm. Kosova në “European Film Academy” kontribuon me një numër të madh të artistëve.
Po ashtu u diskutua edhe për iniciativa të reja për përfshirjen e të rinjve dhe fëmijëve në punëtori të ndryshme, si formë e mirë e kultivimit të talentëve të rinj.

Ministrja e falënderoi drejtoreshën e EFA-së, Marion Doring, për tërë vlerësimin për kinematografinë kosovare dhe për gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejme.
Gjithashtu, ministrja Dumoshi foli edhe për filmin “Exil” ku u shpreh shumë e kënaqur për interesimin tejet të madh të pjesëmarrësve në Berlin për filmin e regjisorit Morina, i cili Kosovën e bën qendër të vëmendjes kinematografike gjatë këtij festivali prestigjoz.