10:55 / E Mërkurë, 25 Mars 2020 / indeksADMonline

Ministrja Dumoshi telefonon ekipin e xhudos që po qëndron në karantinë

Ekipi i xhudos së Kosovës vazhdon të jetë në karantinë aty u po përgatitet për garat që i presin në të ardhmen.

Ani pse tashmë është bërë zyrtare shtyrja e Lojërave Olimpike për vitin 2021, xhudistët kosovarë nuk po ndalen me stërvitjet e tyre.

Trajneri Driton Kuka ka njoftuar se sot ata kanë marrë një telefonat nga ministrja Vlora Dumoshi e cila është përkujdesur për ta parë gjendjen e sportistëve.

“Jemi falënderues ministres Dumoshi si dhe drejtorit Ibër Alaj për video telefonatën me ekipin tonë në karantinë dhe me qasjen e përkrahjen e tyre karshi ekipit tonë të xhudos!

Jemi mirënjohës për kurajon që po i jepni ekipit të qëndrojë i fortë një ditë pas shtyrjes së Olimpiadës e cila është ëndërr e çdo sportisti!

Po besojmë që së bashku do shkojmë më të motivuar e të fuqishëm kurdo që Lojërat Olimpike mbahen.

Shëndet për krejt miqtë kudo që janë.

Kosova mbi të gjitha …”, ka shkruar Driton Kuka në rrjetin social Facebook.