75 Mall Live Search
09:35 / E Martë, 15 Prill 2025 / mp

Ministrja e Infrastrukturës prezenton projektin se si do të duket hekurudha Durrës-Prishtinë

Ministrja e Infrastrukturës e Shqipëris, Belinda Balluku, ka prezantuar studimin e  fizibilitetit dhe projekt-idesë për hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Në një shkrim në Facebook, Balluku, e ka quajtur kapitull të ri ndërtimin e hekurudhës “Kuq e Zi”.

“Një hap konkret drejt jetësimit të një projekti kombëtar, që na afron edhe më shumë duke hapur një kapitull të ri mes dy vendeve dhe më gjerë, përmes nxitjes së shkëmbimeve, lëvizjes dhe zhvillimit të ekonomisë. Me vendosmëri, objektiv të qartë dhe padurim për të ecur sa më shpejt e pa humbur kohë për këtë vepër kombëtare”, ka shkruar ajo.

Sipas projektit të prezantuar, do të jenë nëntë udhëtime të trenit për pasagjerë që do të qarkullojnë në ditë. Nëse treni ndalet në çdo stacion, udhëtimi i plotë do të jetë nga Durrësi në Prishtinë për 5 orë e 54 minuta. Ndërsa nëse bëhet fjalë për trena rajonalë që ndalen vetëm në stacionet kryesore rruga do të jetë më e shkurtër – tri orë e 40 minuta.

Balluku ka bërë të ditur se kjo hekurudhë do të jetë 105.8 kilometra e gjatë, do t’i ketë 43 ura, 14 tunele dhe shtatë stacione të reja. Përgjatë rrugës, ajo do të kalojë nga Shkodra në Gjakovë.

Vlerësimi aktual është se i gjithë projekti do të kushtojë 1.8 miliardë euro.

Sa i përket afatit, pritet që për një afat 10-vjeçar të arrijë treni i parë që do ta shfrytëzojë këtë hekurudhë.