17:14 / E Enjte, 23 Mars 2023 / L K

Ministrja e Jashtme gjermane i premton Maqedonisë së Veriut mbështetje për anëtarësim në BE

Përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është mënyra e vetme për të kundërshtuar ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut pas bisedimeve të enjten me homologen e tij gjermane, e cila premtoi mbështetje.

Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE ndërsa rimëkëmben nga luftërat e viteve 1990, raporton Reuters.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se ai dhe ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock diskutuan ndikimin rus, i cili është “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Maqedonisë së Veriut iu dha statusi i kandidatit për anëtarësimin në BE në 2004, por procesi ngeci për shkak të një mosmarrëveshjeje me Greqinë mbi emrin e saj, i cili u zgjidh në 2018. Një mosmarrëveshje e vazhdueshme me Bullgarinë mbi ndryshimet kushtetuese i ka shtyrë më tej negociatat.

Për të rifilluar procesin, koalicioni qeverisës i Maqedonisë së Veriut duhet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në parlament për ndryshimet kushtetuese që kanë mërzitur Bullgarinë fqinje.

Osmani akuzoi Rusinë se mbështetet në “pakënaqësinë objektive të njerëzve me procesin e vështirë të integrimit evropian”, duke shtuar se është e nevojshme që procesit t’i rikthehet besueshmëria.

Duke premtuar mbështetje, Baerbock tha: “Ju e keni fjalën time: ne nuk do t’ju lëmë ‘jashtë në shi’”.