15:27 / E Enjte, 18 Nëntor 2021 / AR

Ministrja Hajdari: Do të krijojmë sistem për zhvillimin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, sepse ka potencial të madh

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka organizuar takim me bizneset fillestare, të hënën (më 15 nëntor 2021), si ditë e përmbylljes nga “Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë”.

Në ceremoninë përmbyllëse, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, tha se fusha e ndërmarrësisë dhe inovacionit janë fusha me potencial të madh për zhvillim ekonomik të vendit.

“Sot jam këtu për të treguar se nuk kemi vetëm një javë ‘Globale të Ndërmarrësisë’, por si Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë na presin shumë javë përpara me shumë angazhime e punë, për të ndërtuar sistemin për Inovacion dhe Ndërmarrësi”, tha ajo.

Ministrja Hajdari tha se qeveria është e fokusuar për zhvillimin e këtyre fushave me potencial të madh. “Kosova ka shumë për të ofruar sa i përket inovacionit dhe ndërmarrësisë, pasi që 70 për qind e popullatës janë të rinj me shumë pozitivitet, energji dhe kreativitet në ndërmarrësi.

Ministrja Rozeta Hajdari ka treguar se si ministri kanë iniciuar krijimin e grupit ndërministror për hartimin e politikës për inovacion dhe ndërmarrësi. “Deri më tani nuk kemi pasur as një Ligj për Inovacion dhe Ndërmarrësi, as një politikë kombëtare, por as nuk kemi Fond për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Ju bëj me dije se kemi krijuar grup ministror për hartimin e Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Po ashtu është krijuar grupi ndërministror bashkë më partnerët nga sektori privat, universitetet dhe ministritë përkatëse, për politiken kombëtare për inovacion dhe ndërmarrësi. Po ashtu do të punojmë në vitet në vijim që të krijohet edhe Fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi”, potencoi ajo.

Po ashtu, ministrja Hajdari ka zhvilluar një diskutim me disa biznese për problemet me të cilat ato përballen në fushën e inovacionit, ndërmarrësisë dhe teknologjisë informative.

Ajo u ka premtuar trajtim të ankesave të tyre, duke eliminuar barrierat e ndryshme, si dhe do të krijojë lehtësira për qasje në përkrahjet që ofrohen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Ndërmarrësisë, Mentor Sylmeta dhe drejtoresha e Departamentit për Inovacion, Laura Zherka, kanë prezantuar objektivat e këtyre dy departamenteve për zhvillimin e sektorit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.