Ministrja Haradinaj-Stublla bëri homazhe te varri i heroines Elfete Humolli

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, të martën bëri homazhe te varri i heroinës Elfete Humolli, e cila u vra nga forcat policore serbe në demonstratën e 1 shkurti të vitit 1990.
Ministrja Haradinaj-Stublla tha se tridhjetenjë vjet më parë pushoi së rrahuri zemra e maturantes Elfete Humolli, që po luftonte për fëmijërinë e saj, të cilën forcat serbe ia shuan.
“Por, ajo bëri që mijëra zemra të tjera të mos ndalonin kurrë së rrahuri deri në realizimin e ëndrrës së saj – lirisë së Kosovës”, u shpreh shefja e diplomacisë kosovare.
Pas homazheve te varri i heroinës Humolli, në Lupç të Podujevës, ministrja Haradinaj-Stublla nderoi edhe vëllain e saj dëshmor, Mentorin, i rënë në luftën e Koshares.
“Qëndrova për vizitë edhe te nëna Sevdije, në familjen simbol i rezistencës dhe luftës së gjatë për liri e shtet”, tha ministrja, duke e përfunduar këtë vizitë me fjalët:
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve!”.



