11:44 / E Enjte, 27 Tetor 2022 / B O

Ministrja Haxhiu: Jap dorëheqje nëse…!

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka sfiduar opozitën se nëse e gjejnë vetëm një fjali në raportin e WPJ-së për sundimin e ligjit ku thuhet se ka pasur ndërhyrje politike, atëherë ajo është e gatshme të japë dorëheqje nga pozita që e ushtron.

Mes tjerash, ajo i sugjeroi deputetët opozitarë ta bëjë një analizë se cili raport ka qenë më i drejtë e cili jo.

Gjithashtu, ajo theksoi se nuk ka ministra e as kryeministër që e thërret në telefon ndonjë prokuror apo gjyqtar për ta zgjidhur lëndën nëpër procese gjyqësore.

“Sa i përket raportit për vendin, nuk përmendën ndërhyrjet politike në sektorin e drejtësisë. Nëse e gjeni, unë jam e gatshme të jap dorëheqje. Aty përmenden interferimet, por jo politike, sikurse në të kaluarën. Është hera e parë që nuk përmendën ndërhyrjet politike. Nuk ka kryeministër, nuk ka ministra e deputetë që e thërret në telefon prokurorin e gjyqtarin se qysh me zgjedh një lëndë ose qysh me mbyll syrin në një lëndë”, tha Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës.